Monday, October 25, 2010

ORIGJINAT E ILIREVE

                              
Popujt që u bënë më të njohur në historinë e lashtë të Ballkanit janë grekët, ilirët dhe trakët. Ilirët janë ndër banorët më të lashtë të Gadishullit Ballkanik. Ata janë autoktonë. Kulturën, gjuhën dhe tiparet antropologjike ilirët i formuan në vendin e tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, aty ku shkrimtarët antikë i përmendin në veprat e tyre.

Trevat e shtrirjes së popullsisë ilire janë mjaft të gjera; ato përfshijnë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, që nga degët e Danubit, lumenjtë Sava e Drava, në veri, e deri te Gjiri i Ambrakisë (Prevezë), në jug, kurse në lindje deri në Vardar. Grupe të veçanta ilirësh u vendosën edhe në Italinë e Jugur. Këto janë fiset mesapet dhe japige.

Emri etnik ILIR shfaqet në veprat antike që në shek. V p. K. Kurse emrat e disa fiseve ilire fillojnë e përmendën që në shek. XII nga Homeri. Por koha e formimit të etnosit ilir është më e lashtë.
Fillimet e origjinës ilire janë që në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.K., që nga periudha e bronzit të mesëm, kur fillojnë të formohen tiparet etnike ilire. Në epokën e hekurit (mijëvjeçari i fundit p.K.) ilirët u formuan plotësisht, duke trashëguar nga epokat më të hershme eneolitike dhe të bronzit tipare kulturore gjuhësore e antropologjike etnike.

Teoria e vjetër që i bëri ilirët të ardhur nga Evropa Qendrore, në shekujt XII – XI p.K., është rrëzuar nga studimet e kryera pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë fakti që varrimet me urna, karakteristike për popujt e Evropës Qendrore, nuk janë tipike për trevat e shtrirjes së ilirëve, por ndeshen vetëm në zona të kufizuara, të rralla, dëshmon kundër teorisë së ardhjes së ilirëve në Ballkan nga veriu.

Gjurmët e kulturave të Evropës Qendrore, që ndeshen në Iliri, janë rezultat i kontakteve kulturore, tregtare e të lëvizjes së artizanëve të punimit të metaleve.
      

No comments:

Post a Comment