Monday, October 25, 2010

fiset kryesore ilire

Ndër fiset më të përmendura ilire janë: taulantët, ardianët, dardanët, paionët, dalmatët, albanët, penestët, molosët, kaonët, thesprotët etj.

TAULANTËT. Banonin në zonën e Adriatikut, që nga lumi Vjosa, deri në prapatokën e Dyrrahut. Ky fis luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë ilire të shek. IV – III p.K., duke u vënë në krye të shtetit ilir, të cilin e kishin krijuar më parë enkelejtë. Në trevat e taulantëve më vonë shfaqet fisi i Albanëve dhe i Parthinëve.

ENKELEJTË. Banonin në krahinat përreth liqenit të Ohrit. Ata krijuan dinastinë e parë të mbretërisë Ilire, në fund të shek. V p.K. Një nga qytetet e tyre kryesore ishte Enkelana. Pas shek. IV ata nuk përmenden më. Në trevat e fisit të enkelejve përmenden edhe dasaretët. Enkelejtë kanë qenë peshkatarë të zotë.

DASARETËT. Janë një fis i madh në Ilirinë Juglindore. Njiheshin në lashtësi sidomos për prodhimin e drithërave të bukës. Një nga qytetet më të njohura ishte Pelioni (qyteza në Selcë të Poshtme të Pogradecit). Qytet tjetër i madh i këtij fisi ishte edhe Antipatra (Berati).

ALBANËT. Banonin në prapatokën e qytetit të Dyrrahut. Kryeqendra e tyre ishte Albanopoli (Zgërdheshi i Krujës). Fisi i albanëve i dha emrin e vet shqiptarëve, gjatë mesjetës së hershme, kur ata njihen si albanë, arbër.

ARDIANËT. Fillimisht shtriheshin rreth gjirit të Rizonit dhe të lumit Neretva. Ardianët e shtrinë pushtetin e vet në të gjitha krahinat e tjera që më parë ishin nën sundimin e taulantëve. Ardianët luajtën një rol shumë të madh në luftërat kundër pushtuesve romakë, gjatë shek. III – II p.K., në kohën kur sundoi dinastia ardiane e Mbretërisë Ilire. Kryeqendra e ardianëve ishte Shkodra.

DARDANËT. Ishin fisi më i madh ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në Ballkanin Qendror, kryesisht në Kosovë. Dy fise të tjera dardane të njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti më i rëndësishëm i dardanëve ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendër e nxjerrjes së metaleve. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehetarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur.

PAIONËT. Fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit në kufi me dardanët, duke u shtrir deri tek lumi Struma. Përmenden për herë të parë nga Homeri, si aleat të trojanëve. Në gjysmën e parë të shek.IV paionët krijuan mbretërin e tyre, e cila u detyrua t’u bëjë ballë për shumë kohë sulmenve të maqedonasve. Paionët prenë në shek.IV-II p.K. monedhën e tyre prej argjendi.

DALMATËT. Banonin në brigjet e Adriatikut. Ishin blegtorë të njohur, shquheshin për punimin e llojeve të ndryshme të veshjeve prej liri e leshi. Veshja e njohur me emrin dalmatika në shekujt e parë u përdor edhe nga aristokracia romake, prej nga kaloi edhe në veshje rituale kishtare. Qyteti më i njohur i tyre ka qenë Delmini.

PENESTËT. Banonin në luginën e Drinit të Zi e përreth saj. Përmenden për herë të parë në vitet 170 – 169 p.K. Luajtën rol të rëndësishëm në Luftën e Tretë Ilire – romake. Përfshiheshin në Mbretërin Ardiane. Kishin 14 qytete e kështjella, ndër të cilat përmenden Uskana, Oeneu, Draudaku etj. Meqenëse pranuan garnizone romake në qendrat e tyre, maqedonasit ua shkurtuan vendin.

MOLOSËT. Janë një nga tri fiset kryesore që banonin në qendër të Epirit antik dhe që luajtën rol shumë të rëndësishëm drejtues në historinë e lindjes dhe të formimit të shtetit të Epirit.

KAONËT. Ky fis epirot kishte shtrirje të gjerë, që nga lumi Thyamios (sot lumi Kallama), deri në luginën e Drinosit, në Gjirokastër. Kryeqendra e kaonëve, Foinike (Finiqi i Sarandës), në shek. III p.K. u bë kryeqendra e gjithë shtetit të Epirit. Qytet tjetër i madh i kaonëve ishte Antigonea (Saraqinishti i Gjirokastrës).

THESPROTËT. Banonin në Epir, në jug të lumit të sotëm Kallama, deri në gjirin e Ambrakisë. Përmenden në shkrimet e lashta që nga shek. V p.K., si fis që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur çdo vit nga gjiri i parisë.

Fise të tjera të njohura janë edhe labianët (për rreth liqenit të Shkodrës), pirustët (në Mirditë) dhe parthiniet në ultësirën bregdetare të Adriatikut

No comments:

Post a Comment