Sunday, October 31, 2010

hakiu banor i big brother 3


Hakiu ose Kika si e njohin më shumë është personazhi që u dallua lehtë mes shumë të tjerëve në Big Brother 3. Për lojën e veçantë që diti të bëjë, karakterin impenjativ por të ndjeshëm e disi të tërhequr. Pas një loje ku humbjen e ka të vështirë ta pranojë, ndihet krenar për shembullin që dha. Shumë e përshëndesin dhe e falënderojnë. Në një intervistë për ‘Shqip’ ai flet për sekrete të BB, jetën e tij, dhe ndjenja që e karakterizoi.
Ishte personazhi që edhe pse nuk arriti të shkojë deri në finale, përcolli shumë vlera për të cilat sot ndihet krenar. Është Kika, si të gjithë e thërrisnin në formatin e ‘Big Brother’, aty ku u bë edhe i njohur. Të flasësh për të nuk është aq e lehtë. Jo për faktin se është një karakter kompleks që di të bëjë bukur lojën e një shtëpie aq të ndjekur, por jeta e tij është kaq e pasur sa i është dashur të mësojë se ndonjëherë ndihet vërtet naiv përballë sfidave dhe hipokrizive me të cilat duhet të ndeshesh. Kika ishte personazhi që u komentua më shumë nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Ndoshta sepse ishte ndryshe nga të tjerët. Më i tërhequr, më elegant, i rafinuar, absolutisht jo naiv, një baba që ndjeu mungesën e fëmijëve, e një aktor më se i talentuar. Ajo për të cilën është penduar disi, tashmë që formati ka përfunduar, është fakti që nuk mundi të bënte atë që di të bëjë më mirë. Aktorin. “Duhej të kisha bërë Hamletin, që t’ua çirrja maskën disave”, shprehet ai. Mendon se nuk ka dhënë më të mirën e tij për të arritur më shumë në një mision ku të gjithë nuk e pranojnë humbjen.
E për persona inteligjentë, humbja me sa duket qenka më e vështirë për t’u pranuar. Por pendimi zbehet kur mendon se këtij show i ka dhënë shumë mesazhe. Ai është bërë i njohur, mbi të gjitha, për mesazhin e një morali të drejtë e të ndershëm që diti të transmetojë që në fillim. Shumë prej njerëzve që e takojnë e përshëndesin dhe e falënderojnë për shembullin që dha. Kjo e bën atë të ndihet më se i vlerësuar.
I është rikthyer punës me pasionin që e karakterizon duke parë se ‘BB’ ka ndikuar pozitivisht. Nga ana tjetër kupton se ka humbur disi nga privatësia që kishte dikur, sepse jeta familjare për të është shumë e rëndësishme. Në familjen e tij të bukur fëmijët janë ata që e bëjnë të ndihet krenar për sakrificat që ka bërë në gjithë këto vite.
Kika është një baba i përkushtuar që di të jetë edhe një shok i mirë për fëmijët e tij. E teksa flet për familjen në sytë e tij lexohet një shpirt i ndjeshëm që kërkon të kujdeset për çdo detaj. Kjo të bën të kuptosh që ai është ndryshe.
Intervista
Sa e vështirë është për një familjar me karrierë të vendosë të hyjë në BB?
Si individ kam qenë kundër këtij formati dhe kam qenë fans në FB I antiBB. Pjesëmarrja në këtë reality ka ndodhur shumë shpejt e shumë spontanisht, më tepër për faktin se nuk e kam ditur mirë se si funksionin një reality si BB. Si familjar ka qenë e vështirë sepse duhet të lija shumë gjëra pezull, familjen e punën. Ka qenë sakrifica më e madhe që kam bërë në jetë. Vendimin për të hyrë e kam marrë në momentin e fundit kur është mbajtur audicioni në Prishtinë dhe kur kam shkuar kam qenë nga të fundit që aplikuan. Ka qenë më tepër si shaka. Madje edhe të tjetër e kanë kuptuar hezitimin para se të hyja në shtëpi. Dua të them që ka qenë gruaja ajo që më ka shtyrë më tepër. Nëse ajo do më kishte thënë një fjalë për të mos hyrë unë nuk do e kisha bërë. Në fakt ajo më ka mbështetur shumë.
Tashmë që formati ka disa javë që ka mbaruar çfarë mendon për pjesëmarrjen në BB?
Nuk mund ta quaj as eksperiencë e mirë as e keqe, por është interesante sepse shumë gjëra i përjeton për herë të parë. Të futesh në BB siç jam shprehur edhe më parë do guxim, aq me tepër për një familjar me karrierë. Mirëpo si natyrë jam kërkues dhe ka mjaftuar pak mbështetje për të provuar diçka ndryshe. Në jetë duhet të rrezikosh dhe të guxosh. Mos harroni se janë shumë njerëz të arsimuar jo vetëm persona socialë, të cilët do të kishin dashur të provonin një eksperiencë të tillë mbi të gjitha për të shfaqur ato që kanë. Në BB pashë vendin ku shumë prej gjërave që kisha kam mundur t’i shfaqë, që nuk kisha mundur t’i shprehja më parë.
Çdo të thotë kjo?
Shpesh njeriu lind e zhvillohet me talente të ndryshme dhe pasurohet me vlera e njohuri gjatë jetës. Shumë prej tyre nuk ke ku t’i shprehësh për arsye të ndryshme. Ambienti i BB ishte i tillë ku deri diku të jepte mundësinë ta tregoje personin që je. Mua më kanë njohur miqtë dhe gjithnjë më kanë inkurajuar që duhet të shfaqem publikisht, sepse kisha shumë për t’i dhënë publikut dhe munda të shfaqesha ashtu siç ata më kanë parë, për më se tre muaj, pa hezituar e pa u ndrydhur, edhe pse BB, siç e kam thënë edhe të ndrydh edhe të çliron. Në fakt, ishte publiku që më ka befasuar shumë, sepse më ka pritur ashtu si unë nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë. Kjo pritje e tyre kudo, më ka shtyrë të mendoj dhe ta pyes veten “çfarë kam bërë unë kaq të veçantë që të meritoj tërë këtë dashamirësi dhe vëmendje”. Reagimi i tyre karshi meje ka qenë befasia më e këndshme dhe pjesa më e bukur e kësaj eksperience.
Do të kishe preferuar që në BB të kishte persona të tjerë nga ata që ishin?
Realisht kam pritur një nivel pak më të lartë. Sepse në një rast të tillë do të kisha mundësinë të jepja më shumë nga kapaciteti im në shumë aspekte, mbi të gjitha në nivelin e komunikimit. Sepse aty brenda kanë qenë shumë të pakët ata që ke pasur mundësinë të flasësh në nivel, le të themi të lartë, madje edhe ata që dukeshin si me nivel gjërat i njihnin shumë sipërfaqësisht. Prisja më shumë.
Ti je shprehur duke thënë se “unë jam më i miri”. Ku e bazoje këtë?
Pikërisht te niveli. Megjithatë kur e kam thënë këtë shprehje isha në dhomën e rrëfimit ku bëhej pyetja rutinë se “pse duhet të qëndrosh akoma në shtëpi”. Unë u përgjigja si për batutë duke qeshur “duhet të qëndroj ende sepse jam më i miri”. Kjo shprehje pastaj mbeti dhe u përmend shumë sidomos nga banorët. Nuk u kuptua se si e thashë. Nuk kuptohej sepse ky ishte niveli i komunikimit aty brenda. Ishte nivel shumë i ulët komunikimi. Ajo më pas u amplifikua aq shumë sa doli nga domethënia e vërtetë.
Mirëpo mënyra se si vepruan u keqinterpretua nga banorët vetëm sa më shtoi bindjen se isha më i mirë se të tjerët. Unë e kam thënë se secili aty brenda e mendonte se ishte më i mirë se tjetri, mirëpo asnjëri s’pati guxim ta thoshte, qoftë edhe për shaka.
Parë nga perspektiva e tanishme unë vazhdoj të mendoj, por pa shaka se vërtetë kam qenë më i miri në edicionin e tretë të BB. Këtë e bazoj në atë se çfarë kam dhënë unë dhe çka të tjerët. Mbi të gjitha tek secili banorë veç e veç jam munduar ta gjejë njeriun para konkurrentit. Madje loja dhe qasja ime ndaj situatave në shtëpi ka bërë që disa prej banorëve të shkojnë me larg se vetë unë. Nuk shihja konkurrencë aty, sepse në fakt vetëm konkurrentë nuk kishte, jo nga ata që prisja të paktën. Sivjet konkurrentët ishin të dobët dhe kjo mjerisht bëri që edhe unë të mos kisha mundësi të shprehesha realisht ashtu si jam.
Mendon se ka një gjë që duhet të kishe bërë më shumë?
Unë kam vepruar si e kam ndjerë, normalisht duke menduar dhe kuptuar si në një reality show. Një gjë duhet sqaruar: formati i BB pasqyron një reality, ku gjithçka e vërtetë ndodh në kohë reale. Unë jam sjellë konform kësaj ashtu siç jam në të vërtetë. Është pikërisht natyrshmëria ime që ka bërë ta fitoj simpatinë e shqiptarëve kudo. Sidoqoftë në disa raste është dashur të kisha bërë Hamletin për t’ua çjerrë maska disave, gjë që nuk e bëra. Unë nuk është se nuk kam ditur të bëj show brenda, por e kisha kuptuar si një reality. Unë kam ditur e kam mundur të luajë më secilin banorë sepse material për të lozur me ta kishte më bollëk. Mirëpo, nuk kam mundur të dalë nga personi im dhe të pretendoj të jem tjetri për një grusht me para. Sot, çdo ditë e më shumë po bindem se paraja nuk është gjithçka. Këtë më ka vërtetuar publiku kur kam dalë jashtë.
Je shprehur se nuk ka qenë publiku ai që të ka eliminuar?
Kemi qenë një grup që kemi bërë lojën tonë në shtëpi. Secili në mënyrën e tij por unë besoj se loja më e madhe dhe më e vërtetë është bërë jashtë shtëpisë së BB.
Ke ndonjë peng nga reality?
Ajo çfarë më ka mbetur peng është mos arritja deri në finale. Në ato çfarë unë dhashë për tre muaj mendoj se kam merituar më shumë se të tjerët të shkoj në finale pavarësisht se brenda meje e kam ditur që nuk kisha për të fituar çmimin. Kjo jo për atë çfarë unë kisha bërë, por për shkak të lojës në një kontekst më të gjerë. Ka qenë një konflikt interesash.
Konflikt të kujt interesave?
Interesave të atyre që nuk u ka leverdisur që unë të fitoj.
Pse?
Për faktin se unë nuk jam tip i manipulueshëm.
Kalojmë te Prishtina. Çfarë fryme gjete atje?
Përgjithësisht, ndoshta është e tepërt ta them por më kanë pritur si hero. Kolegët, njerëz të ndryshëm, miqtë etj. Të gjithë janë ndjerë krenar për atë që unë kisha shfaqur në ‘Big Brother’. Një gjë dua të them është se njerëzit sot më shohin me dashamirësi dhe më flasin me keqardhje që nuk e morra çmimin. Por gjëja e fundit që unë do të doja është që njerëzit mos të më shohin me keqardhje, sepse jo gjithçka matet vetëm me para. Njeriu në jetë vlerësohet për atë çfarë ai është dhe jo për paratë që ka.
Po fëmijët si të pritën?
Me shumë mall dhe shumë krenar. Unë kam tre fëmijë, Renesiana, vajza e madha që është 14 vjeç, Redoni 11 dhe Rea gjashtë vjeçe. Dy të mëdhenjtë, para se të futesha, kur unë isha skeptik më thoshin “babi shko në BB se ne do të bëhemi shumë të famshëm”. Ndërsa Rea e vogël ishte bërë për tërë familjen si parashikuesja ime kur unë isha në nominim. Dhe kur e pyesnin “a do të shpëtojë babi” ajo përgjigjej gjithnjë me siguri: “babi ka me shpëtu”. Kur ishte nominimi i dyfishtë brenda natës ku unë dola me Jetmirin ajo nuk u përgjigj fare. Sikur e parandjeu që do të dilja.
Të gjithë e dimë që ti je një baba shembullor. Por çfarë bën ti për t’i kënaqur më shumë fëmijët e tu?
Unë jam shumë i zënë me punë, por çdo moment të lirë që kam mundohem ta kaloj e të flas më ta. Jo vetëm si prind por edhe si shok. Si prind shpesh u caktoj se çfarë duhet të lexojnë dhe çfarë duhet të bëjnë gjatë javës, e si shok kam filluar të flas edhe për simpatitë e tyre, tashmë që janë më të rritur. Por meritat më të mëdha për edukimin e fëmijëve i ka padyshim gruaja ime, Linda. Ajo çfarë Linda si nënë dhe si bashkëshorte më ka bindur të besoj që gruaja është më të vërtetë shtylla e shtëpisë. Ne jemi shumë të lidhur më njëri tjetrin dhe mendoj se suksesin e një qëndrueshmërie në një raport e ka në dorë gruaja dhe jo burri.
Iu ktheve sërish punës tënde të mëparshme?
Mbas daljes nga BB vazhdova punën në radio ku isha edhe më parë, por kam filluar një emision të ri me titull “Mesdita në Blue Sky Radio”, ku trajtohet çdo ditë një temë përditshmërie, merren opinionet e qytetarëve si dhe ilustrohet me informacione nga muzika, filmi, apo kuriozitete. Dhe ka gjithnjë të ftuar. Kam shumë mesazhe që vijnë si përgjigje të temave nga dëgjues të Shqipërisë. E dëgjojnë përmes internetit gjithnjë e më shumë.
Por BB bëri që të tërheqë edhe bota e televizionit?
Po. Është e vërtetë. Emisioni quhet “Koktejle vere” dhe është argëtues e transmetohet një herë në jave në televizionin RTK.
Si ndihesh si prezantues?
Jo mirë. Nuk më tërheq televizioni edhe pse shumë prej njerëzve që më kanë pëlqyer duan të më shohin më shumë në ekran sesa në radio. Kuptohet ekrani është më masiv sesa radio. Unë gjithmonë i jam larguar ekranit për shkak të profesionit tim të vërtetë. Kur je aktor njerëzit duhet të të mbajnë mend për të tillë e jo për prezantues. Këtë rrezik e ka ekrani. Dhe ajo që momentalisht më jep shumë kënaqësi është se jam përzgjedhur për një rol në një film, ku disa prej xhirimeve do të bëhen në bregdetin shqiptar. Roli që kam aty është ai i një gjenerali francez. E kam lexuar skenarin e më pëlqen shumë ky rol. Kjo nuk do të thotë se unë nuk do të vazhdoj të futëm më seriozisht edhe në botën e televizionit. Mbase shumë shpejt më një show timin.
Çfarë ka Hakiu një defekt?
Në realitetin ky jetojmë ndihem naiv. Është një realitet i egër e duhet shpesh të tolerosh edhe kur nuk të pëlqen diçka. Unë si natyrë nuk i bëj dot gjërat sepse duhen bërë por sepse dua unë. E keqja është që jo gjithmonë të ofrohet të bësh gjërat që ti do.
Çfarë ke bërë që se ke dashur?
Nga ana profesionale të qëllon që duhet të bësh ndonjë rol që në të vërtetë nuk të pëlqen por duhet ta bësh për pagesën që të ofrohet. Edhe një gjë që kam bërë e nuk e kam dashur ishte martesa e hershme. Unë jam martuar 20 vjeç, fare i ri. Do të kisha zgjedhur të isha martuar vonë, pra në një moshë më të madhe.
Po çfarë s’ke bërë që ke dashur të bësh?
Kam dashur të udhëtoj shumë e të vizitoj vende të ndryshme të botës. Por nuk kam mundur ta bëj se u bëra shpejt baba për tre herë e me është dashur të rris e të mbaj familjen time. Përveç aktrimit, kur isha i ri kam dëshiruar shumë të bëhesha pilot. Por kjo atëherë nuk mund të realizohej sepse kushtonte shumë e duhej bërë jashtë, sepse te ne nuk kishte shkolla të posaçme. Edhe një gjë tjetër është që më thonë së kam zë të mirë e duhet të këndoj, por që ende se kam bërë. Ndoshta më vonë (qesh).
Cili është vesi që të bezdis më shumë te njerëzit që ndesh?
Dyfytyrësia ose e thënë ndryshe hipokrizia. Nuk i dua njerëzit që të rrahin krahët e passhpine flasin ndryshe. Më pëlqen kur të mirën dhe të keqen ta thonë në sy.
Si ndihesh kur vjen në Tiranë tani?
Tiranën e kam njohur edhe më parë sepse kam ardhur me teatrin disa herë. Po ashtu dhe disa qytete, Sarandën, Vlorën, Fierin. Po tashmë me Tiranën jam lidhur më shumë shpirtërisht edhe për shkak të miqësive të krijuara. Kur kthehem në Prishtinë pas dy javësh filloj të ndiej mall dhe dëshirë për të ardhur sërish.
Çfarë dallon ti ndryshe tek njerëzit kur vjen në Shqipëri?
Kam përshtypjen që njerëzit në Shqipëri janë pak më formalë sesa te ne. Kanë më shumë etiketë e kjo të bën që mos të ndihesh ndonjëherë shumë rehat. Po ashtu më është krijuar ideja se njerëzit këtu i njohin gjërat shumë sipërfaqësisht, jo thelbin e një problemi dhe kjo po e pengon edhe zhvillimin e mëtejshëm.
Nga ana tjetër shoh se si të gjithë po vrapojnë për të kapur kohën e humbur në çdo aspekt, e kjo është shumë pozitive. Një gjë tjetër pozitive është që këtu kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë dhe ky ndryshim vërtetë do shumë vullnet. Vullnetin e kam parë te shumë njerëz, por mjerisht ka edhe shumë të tjerë që duan dhe po përfitojnë në kurrizin e atyre që punën e bëjnë me nder e me vullnetin e mirë.
Nga eksperienca e BB ti ke shumë pakënaqësira, por njëkohësisht je bërë shumë i njohur për shqiptarët kudo që ata jetojnë dhe shikon se të vlerësojnë. Si përfundim cili është bilanci i tërë kësaj eksperience?

No comments:

Post a Comment